Grupi punues për çështje të arsimit

18 Nëntor 2021, Prizren

Këshillin Konsultativ për Komunitete ( Grupi Punues për Çështje të Arsimit) organizoi  sot në Prizren,tryezën e rrumbullakët me temën ’’Gjendja në arsim për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës’’.  Në tryezë, përpos kryesuesit të Këshillit, z. Agim Ferati, dhe anëtarëve të Grupit Punues për Çështje të Arsimit, pjesëmarrës ishin edhe: z. Avni Morina, Drejtor në Drejtorinë e Arsimit, dhe z. Lendrit Qeli, Udhëheqës i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, në komunën e Rahovecit, z. Orhan Volkan, përfaqësues i komunitetit turk dhe Inspektor i Arsimit, dhe z. Hajrula Birdaini, përfaqësues i komunitetit boshnjak dhe Inspektor i Arsimit në komunën e Prizrenit, si dhe z. Nazmi Morina, përfaqësues nga komuna e Mamushës. 

Kryesuesi i Grupit Punues për Çështje të Arsimit, z. Atakan Koro, i njoftoi të pranishmit me punë e grupit punues gjatë këtij viti, lidhur me çështjet e diskutuara dhe të adresuara në institucionet përkatëse, si dhe me takimin e realizuar, me z. Dukagjin  Pupovci, Zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Anëtarët e tjerë të grupit punues, para të pranishmëve, shkurtimisht prezantuan gjendjen në arsim për pjesëtarët e komuniteteve të tyre.

Pjesëmarrësit e tjerë në tryezë në diskutimet e tyre, prezantuan, punën, angazhimin si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në arsim në komunat e tyre përkatëse. 

Të gjithë pjesëmarrësit në tryezë, e vlerësuan si të dobishme organizimin e tryezës dhe mundësinë që së bashku të diskutojnë për çështjet dhe problemet, me të cilat ndër vite po ballafaqohen pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, në lëmin e arsimit, si dhe theksuan nevojën që të bashkë rendojnë veprimet dhe të ofrojnë kontributin në adresimin e të gjitha çështjeve, me qëllim të zgjidhjes sa më parë të tyre.