Takimi me organizatat përfaqësuese të komunitetit Boshnjak

07. Dhjetor 2021

 

Përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në Këshill, z.  Agim Ferati, znj. Senada Sagdati  dhe z. Almedin Fejza, në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Këshillit, si dhe në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit organizuan një takim me Organizatat Përfaqësuese të Komunitetit boshnjak, pjesëmarrëse në procesin e nominimit për anëtarët e këtij komuniteti në Këshillin Konsultativ për Komunitete. 

Në takim z. Agim Ferati, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit i njoftoi  pjesëmarrësit me punën e deritanishme të Këshillit, për gjatë vitit 2021, si dhe me punën e Grupit Punues për Legjislacion, gjatë kohës sa ka qenë kryesues i këtij grupi punues.

Znj. Senada Sagdati, në diskutimin e saj, në mënyrë kronologjike i njoftoi pjesëmarrësit për punën e Grupit Punues për Çështje të Arsimit, ndërsa z. Almedin Fejza, në mënyrë të detajuar i njoftoi pjesëmarrësit për punën e Grupit Punues për Çështje të Gjuhëve, si dhe për disa nga aktivitetet e Grupit Punues për Çështje të Kulturës, dhe të Këshillit në tërësi. 

Pas njoftimit nga z Agim Frati, znj. Senada Sagdati dhe z. Almedin Fejza, pjesëmarrësit në takim në kuadër të diskutimit të hapur, ngritën çështje si zbatimi jo i kënaqshëm i ligjit për përdorimin e gjuhëve në komunën e Prizrenit , sfidat dhe vështirësitë në fushën e arsimit, kulturës dhe të punësimit për pjesëtarët e komunitetit boshnjak, si dhe kërkuan nga tre anëtarët në Këshill, që gjatë punës së tyre në grupe punuese dhe në Këshill, të trajtojnë dhe të angazhohen në adresimin e çështjeve të ngritura nga ta, por edhe u vlerësua puna dhe kontributi i deritanishëm i tyre në Këshill.

Nga z. Agim Ferati, dhe  pjesëmarrësit  në takim u vlerësua si shumë i dobishëm një organizimi i tillë sepse ofron mundësinë e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndërmjet anëtarëve të Këshillit dhe organizatave përfaqësuese të komunitetit boshnjak, si dhe u kërkua që ky bashkëpunim të intensifikohet në të ardhmen.