Presidentja Osmani: Ne do të ecim përpara si shoqëri vetëm kur të gjithë bashkërisht luftojmë diskriminimin

14. Dhjetor 2021, Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu mbajti takimin me Këshillin Konsultativ për Komunitete.

 

Në fjalën e saj përballë anëtarëve të Këshillit, presidentja Osmani tha se ky Këshill është një nga mekanizmat më të rëndësishëm të komuniteteve në Kosovë.

 

Ajo tha se komunitete të caktuara përballen me probleme të natyrave specifike dhe jo gjithnjë sfidat janë të njëllojta. Për këtë arsye, sipas saj, institucionet synojnë përveç garantimit të të drejtave dhe lirive të tyre, të ndërtojnë edhe politika shtetërore përmes të cilave rregullohen problemet specifike me të cilat përballen komunitetet.

 

“Punësimi, edukimi dhe zhvillimi socio-ekonomik janë disa nga sfidat e përditshme të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Si presidente e vendit së bashku me institucionet e tjera do të punojmë që këto probleme të eliminohen në veçanti për grupet që ndihen më të margjinalizuara dhe që ballafaqohen me këto probleme në masë shumë më të madhe, e siç e dimë, pandemia i ka vënë në pah shumë më shumë këto sesa në vitet paraprake”.

 

Presidentja e Kosovës tha se diversiteti është një ndër vlerat kryesore të Kosovës dhe si e tillë kjo vlerë do të kultivohet edhe më tej me përkrahje institucionale.

 

Presidentja ftoi anëtarët e Këshillit të jenë sa më aktiv në punën e tyre dhe inkurajoi që të takohen sa më shumë me qytetarë për artikulimin e kërkesave të tyre, ndërsa rekomandimet e Këshillit do të përkrahen nga Zyra e Presidencës së Kosovës.

 

Ajo ka pohuar se edhe gjatë këtij viti ka pasur raste të diskriminimit ndaj komuniteteve të caktuara, në veçanti ndaj komuniteteve rom, ashkalinjë dhe egjiptian. “Kjo jo vetëm që është e papranueshme por tregon se ne do të ecim përpara si shoqëri vetëm kur të gjithë bashkërisht, pavarësisht a jemi në institucione publike apo thjeshtë anëtarë të kësaj shoqërie, luftojmë diskriminimin duke ditur se ai e ndalë ecjen përpara të shoqërisë tone”.

 

Në takim z. Agim Ferati, Kryesues i Këshillit, prezantoi para Presidentes punën e bërë të Këshillit gjatë vitit 2021. Më pas përfaqësuesit e komuniteteve në Këshill, z. Petar Đorđević, nga komuniteti serb, z. Almedin Fejza, nga komuniteti bosnjak, znj. Gűlten Nobirda, nga komuniteti turk, znj. Adelina Qorraj Emini nga komuniteti egjiptian, z. Ridvan Gashi nga komuniteti rom, z. Denis Ivić nga komuniteti malazez dhe z. Josip Cirimotić, nga komuniteti kroat prezantuan para Presidentes, sfidat dhe problemet me të  cilat ballafaqohen komunitetet e tyre në fushën e arsimit, punësimit, përdorimit të gjuhëve, të drejtat pronësore, si dhe kërkuan mbështetjen e Presidentes në adresimin e tyre te institucionet përkatëse.