Takimi i grupit punues për çështje të gjuhëve

25 Mars 2022, Prizren

Sot ne Prizren është mbajtur takimi i Grupit Punues për Çështje të Gjuhëve me kryetarin dhe nënkryetarin e Komunës së Prizrenit z. Shaqir Tolajn dhe z. Kujtim Gashin. Përveç zyrtarëve nga Komuna e Prizrenit në takim ishin të pranishëm edhe kryesuesi i Këshillit z. Agim Ferati, kryesuesi i Grupit Punues z. Ridvan Gashi dhe anëtari i Grupit Punues z. Almedin Fejza. Kryesuesi i Këshillit e njoftoi kryetarin e Komunës së Prizrenit z. Shaqir Tolajn me funksionimin dhe strukturën e Këshillit si dhe me çështje të cilat i brengosin komunitetet lidhur me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve jo-shumicë në Kominën e Prizrenit. Ridvan Gashi, kryesuesi i Grupit Punues për Çështje të Gjuhëve e njoftoi kryetarin e Komunës lidhur me kërkesën e komunitetit rom e cila daton që nga viti 2010 që gjuha rome në Komunën e Prizrenit të përfshihet si gjuhë në përdorim zyrtar, duke pasur parasysh numrin e madh të pjesëtarëve të komunitetit rom i cili jeton në territor të kësaj komune. Anëtari i Grupit Punues z. Almedin Fejza e paraqiti problemin e mungesës së përkthimit në gjuhën boshnjake, si dhe problemin e mungesës dhe të vonesës në publikim të informatave në gjuhët e komuniteteve gjatë pandemisë. Kryetari i Komunës theksoi se është i vetëdijshëm që në Komunë mungojnë përkthyesit për gjuhën boshnjake dhe turke dhe që Komuna, në përputhje me legjislacion do t’i ndërmerr të gjitha masat e duhura për t’i zgjidhur problemet dhe në mënyrë që të angazhohen përkthyes shtesë. Gjithashtu ai theksoi se Komuna seriozisht do ta merr në shqyrtim kërkesën që edhe gjuha rome të përfshihet si gjuhë në përdorim zyrtar në nivel të komunës si dhe që Komuna në të ardhmen do t’i eliminojë mungesat në përkthim në gjuhët e komuniteteve në ueb faqen e vet.