Këshilli Konsultativ Për Komunitete
Prishtinë, më 31 mars 2016
Ndërtesa e Kuvendit, salla S-I
Këshilli Konsultativ për Komunitete, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën, z. Darko Dimitrijević, kryesues i Këshillit, z. Taner Gűçlűtűrk, kryesues i Grupit Punues për Çështje të Gjuhëve, z. Mejdin Saliji, kryesues i Grupit Punues për Çështje të Arsimit, si dhe z. Fegap Zaimi, kryesues i Grupit Punues për Legjislacion, i njoftuan anëtarët me aktivitetet e zhvilluara ndërmjetë dy mbledhjeve të Këshillit.
Gjithashtu për pjesëmarrjen e tyre, nëpër takime të grupeve të ndryshme punuese, si dhe në tryeza të rrumbullakta, në cilësinë e anëtarëve të Këshillit, njoftuan: Znj. Esin Şişko, znj. Jelena Kostić, z.Mejdin Saliji, si dhe z. Emrah Cërmjani.
Në vazhdim të mbledhjes, me propozim të Grupit Punues për Çështje të Arsimit dhe Grupit Punues për Legjislacion, anëtarët e Këshillit, miratuan komentin në Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, me të cilin koment kërkohet të riformulohet neni 8 i këtij projektligji, në mënyrë që me rastin e emërimit të inspektorëve, të sigurohet përfaqësim edhe për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.