Grupi Punues për Çështje të Arsimit, organizoi tryezën e rrumbullakët me temën ’’Gjendja në arsim për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës’’, më 21 qershor 2023 në Prishtinë. Në tryezën e organizuar, përpos kryesuesit të Grupit Punues për Çështje të Arsimit, z. Atakan Koro, zëvendës kryesueses, znj. Dževahira Kolenović, anëtarëve, z. Bajram Ilazi dhe Sunaj Garipi, pjesëmarrës ishin edhe: z. Elvis Karadolami Këshilltar për çështje të komuniteteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Duygu Keçi përfaqësuese nga Shoqata e Mësimdhënësve Turq të Kosovës, znj. Sabina Dana përfaqësuese nga Shoqata e Punëtorëve të Arsimit Boshnjak të Kosovës, znj. Fortesa Shasivari nga VoRAE dhe z. Denis Avdiu përfaqësues nga All Youth Together.
Kryesuesi i Grupit Punues, z. Atakan Koro, e hapi takimin, si dhe i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në tryezë, më pas në diskutimin e tij i njoftoi të pranishmit me punën e grupit punues gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, lidhur me çështjet e diskutuara dhe të adresuara në institucionet përkatëse, si dhe me takimin e realizuar, me z. Elvis Karadolami, Këshilltar për Çështje të komuniteteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Pjesëmarrësit e tjerë në tryezë në diskutimet e tyre, prezantuan, punën, angazhimin si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komuniteteve të tyre në arsim.
Nga pjesëmarrësit në tryezë, u vlerësua si shumë e dobishme dhe me interes organizimi i tryezës, por edhe mundësia që së bashku të diskutojnë për çështjet dhe problemet, me të cilat ndër vite po ballafaqohen pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, në lëmin e arsimit, si dhe theksuan nevojën që të gjithë të ofrojnë kontributin në adresimin e të gjitha çështjeve, me qëllim të zgjidhjes sa më parë të tyre.