
Më 23 qershor 2026, me rastin e shënimit të 24 Qershorit – Ditës së Komunitetit Egjiptian, përfaqësuesit e këtij komuniteti në Këshillin Konsultativ për Komunitete, znj. Mirjeta Qehaja dhe z. Blerim Shala, në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Këshillit, organizuan një takim me organizatat përfaqësuese të komunitetit egjiptian, si dhe me përfaqësues të komunitetit në institucionet lokale, zyrat komunale për komunitete dhe kthim, aktivistë dhe individë të suksesshëm kontributdhënës nga radhët e komunitetit egjiptian. Njëkohësisht, ata shënuan edhe 24 Qershorin – Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian.
Në takim, znj. Mirjeta Qehaja i njoftoi pjesëmarrësit me punën e deritanishme të Këshillit gjatë periudhës 2025–2026, si dhe me aktivitetet e Grupit Punues për Çështje të Kulturës, në cilësinë e kryesueses së këtij grupi.
Z. Blerim Shala, në diskutimin e tij, i njoftoi pjesëmarrësit me punën e Grupit Punues për Legjislacion. Ai foli për ligjet dhe projektligjet që prekin interesat e pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, të cilat analizohen, komentohen dhe paraqiten në takimet e rregullta të Këshillit Konsultativ për Komunitete, e më pas, përmes votimit, u përcillen ministrive përkatëse ose Kuvendit për shqyrtim.

Pjesë e panelit ishte edhe z. Armend Behluli, udhëheqës i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, i cili prezantoi punën e ZKK-së në Gjakovë, rëndësinë e bashkëpunimit të ZKK-ve me Këshillin Konsultativ për Komunitete në Presidencë, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo zyrë.
Pas prezantimeve të znj. Mirjeta Qehaja dhe z. Blerim Shala, pjesëmarrësit në takim, në kuadër të diskutimit të hapur, ngritën çështje të ndryshme, si: punësimi i pamjaftueshëm i pjesëtarëve të komunitetit egjiptian, mosrespektimi dhe keqpërdorimi i kuotës prej 10%, sfidat, sukseset dhe vështirësitë në fushën e arsimit, braktisja e shkollimit, gjendja e vështirë socio-ekonomike e pjesëtarëve të komunitetit egjiptian, sfidat e ZKK-ve, si dhe sfidat e organizatave joqeveritare në sigurimin e fondeve.
Ata gjithashtu kërkuan nga dy anëtarët e Këshillit që, gjatë punës së tyre në grupet punuese dhe në Këshill, të trajtojnë dhe të angazhohen për adresimin e çështjeve të ngritura nga pjesëmarrësit në institucionet përkatëse.