
Me rastin e shënimit të 15 Shkurtit – Ditës Memoriale të Komunitetit Ashkali në Kosovë, përfaqësuesit e këtij komuniteti në Këshillin Konsultativ për Komunitete, pranë Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, organizuan sot, një tryezë diskutimi.
Tryeza u organizua me qëllim të reflektimit dhe diskutimit mbi çështje me rëndësi për komunitetin Ashkali, me fokus të veçantë në temën: “Gjithëpërfshirja e komunitetit Ashkali në politikat publike dhe vendimmarrje”
Dy përfaqësuesit e komunitetit Ashkali në Këshillin Konsultativ për Komunitete, z. Bajram Ilazi dhe z. Faton Beka, para pjesëmarrësve prezantuan, rolin, mandatin dhe punën e Këshillit, si dhe angazhimin e tyre në kuadër të grupeve punuese dhe në kuadër të Këshillit, në shqyrtimin dhe adresimin e çështjeve që ndërlidhen me komunitetin Ashkali dhe komunitetet jo-shumicë.
Pjesëmarrësit e tryezës në diskutimet e tyre, kërkuan angazhimin e mëtejshëm të dy përfaqësuesve të komunitetit Ashkali, në inicimin dhe shqyrtim e problemeve me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit në jetën e përditshme, si dhe adresimin për zgjidhje e tyre në institucionet përkatëse si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
Në fund të tryezës dy përfaqësuesit e komunitetit ashkali në Këshill, i falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, si dhe për kontributin të cilin e afruam përmes sugjerimeve dhe propozimeve konkrete, dhe theksuan se organizimi i aktiviteteve të tilla, do të na shërbejë si hapësirë dialogu dhe bashkëbisedimi ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit tonë, përmes të cilit kontribuojmë në forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e pozitës së komunitetit Ashkali në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.