Presidenti Thaçi : Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj
Prishtinë, 26 korrik – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledh sot Këshillin Konsultativ për Komunitete, i cili ka mbajtur mbledhjen e përgjithshme. Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se një pjesë të madhe të angazhimit të tij, ia dedikon promovimit dhe avancimit të dialogut të brendshëm, në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Këshilli Konsultativ për Komunitete dhe takimi me ju është një prej mundësive më të mira për të promovuar këtë dialog”, ka shtuar ai.
Presidenti ka theksuar se Këshilli Konsultativ për Komunitete është forum i vlefshëm në të cilin artikulohen aspiratat, por edhe shqetësimet e komuniteteve të Kosovës, si dhe kërkohen zgjidhje për të gjitha këto.
“Ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës në angazhimin tuaj. Jemi mirënjohës edhe për bashkëpunimin tuaj me kabinetin. Ju siguroj që si president do të angazhohem që të adresohet çdo nevojë dhe shqetësim që keni. Prandaj, ju inkurajoj që të vazhdoni të kontribuoni në bashkëpunimin në mes nesh”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se zgjidhjet për problemet e komuniteteve duhet të vijnë nga vet komunitetet, derisa institucionet duhet t’i përkrahin ato. Sipas tij, është e rëndësishme që këto zgjidhje të përcillen tek liderët politikë dhe institucionet qeverisëse që do t’i realizojnë këto.
Ai ka ritheksuar se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare apo orientimin e tyre seksual.
“Për më tepër, jemi shtet që ndërmerr politika afirmative për të promovuar të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe për të garantuar të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Për këtë angazhohem unë personalisht, dhe institucioni që drejtoj”, ka thënë ai.
Presidenti ka theksuar se dëshirojmë një Kosovë në të cilën të gjithë do të ndihen të barabartë, në të cilën të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, do të jetojnë me dinjitet dhe prosperitet.