Presidentja Osmani në Këshillin Konsultativ për Komunitete: Barazi në punësim për të gjithë pa dallim

Në takimin e organizuar për fund vit nga Këshilli Konsultativ për Komunitete ka marrë pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.

Presidentja i faleminderoj anëtarët për pjesëmarrje në këtë takim të fundvitit, si dhe në fjalimin e saj theksoi:

“Përpara se të fillojmë, do të doja të shpreh një falënderim të veçantë për punën e palodhur dhe angazhimin tuaj në këtë proces.

Siç dini, Këshilli Konsultativ për Komunitete ka luajtur një rol kyç në përmirësimin dhe forcimin  e te  drejtave të komuniteteve në Kosovë.

Më lejoni t’u përcjell një falënderim të veçantë për të gjitha rekomandimet dhe përpjekjet tuaja për të siguruar pjesëmarrjen aktive të komuniteteve në procesin legjislative.

Puna juaj dhe përkushtimi janë të vlerësueshme dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e një mjedisi më të drejtë dhe më të barabartë për të gjitha komunitetet. Faleminderit për partneritetin tuaj të ngushtë me zyrën time dhe përkushtimin në zbatimin e rekomandimeve të Këshillit.

Në veçanti, do të doja të shpreh mbështetjen time të plotë për propozimin e fundit për ndryshime në procedurat e rekrutimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë. Është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të pjesëmarrjes së tyre në institucionet publike, dhe do të jem në krye të përpjekjeve për zbatimin e këtij  ndryshimi ligjor. Pra Barazi në Punësim për te gjithë pa dallim, sepse kjo është edhe prioritet i imi, kjo duhet të jetë edhe kauzë e shoqërisë sonë në përgjithësi.  

Gjatë këtij viti, zyra ime ka qenë e përkushtuar në dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet për t`i trajtuar rekomandimet e Këshillit.

Ju siguroj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm dhe se do t`i japim shtytje shtesë implementimit të tyre.

Në përfundim, do të doja të theksoja se angazhimi im për promovimin dhe barazinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë është i pandërprerë. Së bashku me Këshillin dhe Sekretariatin, do të punojmë me përkushtim për një shoqëri më të drejtë dhe më të përfshirë për të gjitha komunitetet.

Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë,

Në këtë fundvit, doja të shpreh një urim të ngrohtë për ju dhe për të gjithë komunitetin tonë të shkëlqyer. Ka qenë një vit i mbushur me sfida dhe arritje, por bashkëpunimi dhe përkushtimi juaj kanë sjellë shumë suksese dhe momente të mrekullueshme.

Le të marrim këtë kohë për të reflektuar mbi të gjitha përvojat dhe përfitimet e vitit që po mbyllet. Uroj që kujtimet pozitive dhe sukseset tuaja të bëhen burim frymëzimi për vitin e ardhshëm.

Faleminderit për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm dhe për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm gjatë këtij viti. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme më të ndritshme dhe të suksesshme!

Uroj një fundvit plot gëzim, shëndet, dhe sukses për ju dhe për familjet tuaja! Gëzuar Vitin e Ri!

Faleminderit!”

Pas fjalimit te Presidentes, zv.kryesuesi Petar Đorđevic i dorëzoj Mirënjohjen Presidentes në emër të Këshillit “Për lidershipin e deshmuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë”