U.D. Presidentja Haxhiu: Roli i komuniteteve në Republikën e Kosovës ka qenë i rëndësishëm në vazhdimësi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar sot me Këshillin Konsultativ për Komunitete.

U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj para anëtarëve të këtij Këshilli, derisa iu referua Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, tha se Republika e Kosovës garanton barazi të plotë dhe efektive për të gjithë popullin e Kosovës.

“Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj kombëtare, etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike, pra që bazohet në sundimin e ligjit. Në zhvillimin e Republikës së Kosovës inkurajohet dhe çmohet kontributi aktiv i të gjithë personave që iu përkasin komuniteteve”, u shpreh ajo.

Që në fillim, U.D. Presidentja Haxhiu theksoi gatishmërinë e saj, që si Ushtruese e Detyrës së Presidentes dhe Zyrës së Presidentes për angazhimin dhe përkrahjen e punës së Këshillit Konsultativ për Komunitete.

“E vlerësoj lart punën dhe rolin tuaj, si një mekanizëm për shkëmbimin e rregullt ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve shtetërore, me theks të veçantë Qeverinë, si dhe angazhimin e shumanshëm të Këshillit Konsultativ për Komunitete në çështjet të cilat kanë të bëjnë me komunitetet në Republikën e Kosovës. Pas këtij takimi, pra duke e vlerësuar angazhimin dhe rëndësinë e këtij Këshilli, në zbatim të ligjit në fuqi, unë menjëherë kam vendosur edhe përcaktimin e përfaqësuesit të Zyrës së Presidentit në
Këshillin Konsultativ për Komunitete, pra është këshilltari im, z. Sami Kurteshi”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se është për t’u përshëndetur fakti që Këshilli vazhdon të funksionojë në mënyrë të rregullt dhe të angazhohet në mënyrë aktive në fusha të ndryshme.

“Po ashtu, z. Kurteshi ka qenë edhe Avokat i Popullit dhe pikërisht puna në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve ka qenë një nga arsyet se pse kam vlerësuar se është personi i duhur në këtë Këshill. Po ashtu, më gëzon fakti se Këshilli angazhohet dhe vazhdon të ketë kontakte të shumta dhe një bashkëpunim të drejtpërdrejt, dobiprurës për komunitetet me ministritë dhe institucionet e ndryshme në Republikën e Kosovës. Pra, puna e grupeve punuese në Këshill, pra janë pesë grupe punuese, siç edhe e dimë, që trajtojnë një shumëllojshmëri të temave dhe çështjeve që prekin drejtpërdrejt gjendjen e komuniteteve në vendin tonë, çështja e punësimit, çështjet kulturore, përdorimit të gjuhëve, e arsimit, sidomos të grupeve më të margjinalizuara që janë: komuniteti rom, komuniteti ashkali, komuniteti egjiptian si dhe përkrahjes së organizatave të shoqërisë civile që angazhohen në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të komuniteteve. Po ashtu, e vlerësoj edhe ndihmën e ofruar në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me komunitetet, si dhe nëpërmjet rekomandimeve në akte të ndryshme normative në lidhje me komunitetet”, theksoi U.D. Presidentja.

Ajo më tej tha se si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj të sinqertë në përmirësimin e mëtejmë të pozitës së komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, e rrjedhimisht edhe të shoqërisë në përgjithësi.

“Unë zotohem se bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore do të angazhohem për të përkrahur punën fisnike të Këshillit edhe në të ardhmen. Dhe në fund fare, më lejoni që të uroj komunitetin egjiptian për ditën e tyre. Dje kanë pasur ditën e tyre. Në fakt, roli i komuniteteve në Republikën e Kosovës ka qenë i rëndësishëm në vazhdimësi. Pra, shumë prej arritjeve që sot i ka Republika e Kosovës janë edhe falë punës së përbashkët që kemi pasur”, theksoi në fund U.D. Presidentja Haxhiu