
Këshilli Konsultativ për Komunitete ( Grupi Punues për Çështje të Punësimit dhe Çështje Sociale) pranë Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetje nga OSBE-së, organizoi punëtorinë me temën:“Gjendja në punësim për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në institucionet publike qendrore dhe në nivelin lokal- barazia gjinore’’ e cila kishte për qëllim informimin dhe diskutimin lidhur me sfidat dhe nevojat për punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve, si dhe me zbatimin e legjislacionit dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet për zgjidhjen e tyre.
Të gjithë pjesëmarrësit e punëtorisë kontribuan me diskutimet dhe prezantimet e tyre, si dhe nga të gjithë u vlerësua i dobishëm organizimi i punëtorisë.
Punëtoria zhvilloi punimet në dy sesione dhe u moderua nga z. Izudin Sagdati (KKK) dhe znj. Shqipe Hajredini (OSBE).
Në sesionin e mëngjesit në temën: Punësimi i pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë në institucionet publike qendrore dhe në nivelin lokal – sfidat dhe nevojat, prezantuan:
Z. Izudin Sagdati – Kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete;
Z. Sadrija Beadini – Kryesues i Grupit Punues për Çështje të Punësimit dhe Çështje Sociale;
Z. Qëndrim Bytyçi – Zv. Drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik (MPB) – Legjislacioni dhe veprimet e ndërmarra;
Znj. Jehona Rexha – Zv. Drejtoreshë e Përgjithshme –(APRK) Masat aktive të punësimit në treg;
Znj. Biljana Nastovska – Këshilltare për Barazi Gjinore (OSBE) Integrimi Gjinor në punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete – Avancimi i Barazisë dhe Përfshirjes.

Në sesionin e pasdites prezantuan:
Znj. Teuta Fazliu – Zyrtare për Komunitete dhe Gjuhët – (MAPL) Legjislacioni dhe veprimet e ndërmarra;
Znj. Keriman Sadikay – Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, Masat e ndërmarra për nxitjen dhe promovimin e punësimit për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.”
